Data: 1/04/2024

Kati: -1

Hapen fletët e librit…. tek Qendra Toptani

Tradita e bukur e panairit të librit në mjediset e Qendrës Toptani, e nisur që prej 2022-it, do të vijojë për të tretin vit radhazi, duke nisur në datën 1 Prill, në “Ditën Botërore të Librit për Fëmijë”, për të vijuar deri në 30 prill.

Stendat e panairit do të ekspozojnë rreth 2000 tituj librash, mbi 700 prej të cilave do të jenë libra të rinj, të autorëve shqiptarë e të huaj.  

Dy javët e para do të jenë të fokusuara tek letërsia për fëmijë kur do të promovohen veprat e autorëve shqiptarë si Mitrush Kuteli, Adelina Mamaqi, Rudina Çupi, Rovena Rrozhani, Adelina Mamaqi, Edi Gogu, etj.

Përgjatë gjithë këtyre ditëve në panair do të organizohen takime fizike dhe online, me autorët tanë të librave për fëmijë e për të rritur; aktivitete ndërvepruese e konkuruese, bazuar mbi përshtypjet me tematikë “Jam libër”, të cilat do të organizohen me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë; dhënie çmimi për “Librin më të mirë të vitit; ofrime librash me autografe nga autorët e tyre (si Ismail Kadare, Ben Blushi e Mira Meksi). 

Do të ketë në këto ditë, padiskutim, edhe oferta deri në -50% në blerjen e librave jo vetëm aty nëpër stenda, pra për vizitorët e panairit por edhe në panairin online “Ditët e librit” tek Bukinist.al, (platforma më e madhe online e librit shqip) me të cilin Qendra Toptani po e organizon këtë panair. 

Pjesa më e veçantë është se do të ketë mbi 2500 tituj online në oferta që do të shkojnë deri në 50%, ndonëse do të ketë një sasi të kufizuar kopjesh. 

Aktivitetet që do të shtrihen në 30 ditë, do të kulmojnë në datën 23 prill, në “Ditën Botërore të Librit”, ku Bukinist.al dhe blogu Leximtari.al do të shpallin 6 fitues, për botimet më të mira të vitit të kaluar në kategoritë: libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i biznesit dhe zhvillimit personal.

Ditët e librit tek Toptani do të sjellin rekomandimet e tyre në kategoritë e librave të biznesit, zhvillimit personal, biografive, romancave, sagat dhe ato të zhanrit mister dhe thriller. Për lexuesit e vegjël do të ofrohen librat ABC, përrallat, enciklopeditë por edhe libra në ndihmë të programeve shkollore.

Toptani Shopping Center (pjesë e Gener 2) dhe Bukinist.al (pjesë e Aladini Trade Partner, kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri) po bëhen sërish bashkë për të forcuar edhe më tej promovimin e librit dhe krijimin e mundësive për lexim, në çdo mjedis, sepse libri duhet të jetë kudo ku janë njerëzit… edhe në Qendrën Toptani.

Ju mirepresim!

Rregjistrohuni me email per te marre njoftime mbi eventin

Intuit Mailchimp